Të moshuar me mitraloz në duar. Personazhe kurioz në dritare. Automjete të ngarkuar me kashtë. Një arkivol që kalon përroin! Njerëz që me portretet e tyre të ngrysur tregojnë gjithçka. Këto elemente njerëzor sjell në Muzeun Historik Kombëtar fotografi austriak Robert Pichler.
Ai erdhi në vitet ?90 në Shqipëri, ku edhe fokusoi në objektivin e aparatit të tij, njerëz edhe peizazhe nga Malësia e Dukagjinit tek ajo e Kurveleshit, nga Curraj i poshtëm në Çorrajn e sipërm, nga Shkodra në Gjirokastër dhe nga Fterra në Tiranë.
?Unë kam filluar me punën time në vitin 1992. Kur erdha si student edhe nisa udhëtimet në Shqipërinë e Veriut, e më pas të Jugut. Për mua është e rëndësishme që të them se koha që isha këtu nuk ishte gjithmonë e mirë, por një gjë është shumë e qartë për mua, që unë kam marrë shumë nga shqiptarët, kam përfituar mjaft nga shqiptarët edhe nuk do të isha aty pa Shqipërinë, ku jam tani në Austri,?- u shpreh Robert Pichler, fotograf dhe antropolog.
Për herë të parë fotografi e ka vizituar Shqipërinë kur ishte student në vitin 1989, sepse i duhej të studionte Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ka qenë dëshmitar i jetës së shqiptarëve, në ditët e para të rënies së komunizmit, duke marrë pjesë në dasma, fejesa dhe funerale, ku nuk mungojnë as makinat, kamionët, karrocat dhe kalimtarë që zhvendosen nëpër rrugë.
?Mora shumë njohur, informacion edhe mikpritje. Janë të gjitha të rëndësishme për një shkencëtar që punon në një vend të huaj. Shpresoj që ekspozita është diçka që unë mund të jap mbrapsht këtij vendi, sepse mendoj se fotot edhe videot që kam bërë këtu, nuk janë pronë të miat, por të shqiptarëve në të njëjtën kohë,? - tha më tej Pichler.
Historiani, antropologu dhe fotografi Robert Pichler është një nga dëshmitarët e transformimit të zhurmshëm të Shqipërisë, i përballjes së familjes shqiptare me emigracionin, por edhe me trazirat politike.
Ekspozita ?Kthim në kohë- Shqipëria e viteve `90-të? e kuruar nga Edit Pula nisi udhëtimin 18 muaj më parë, nga stacioni autobusëve të zonës së Veriut në Jug, edhe deri në 30 janar do të jetë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.